Skip to main content

Rekomandimet për trajtimin e rasteve të korrupsionit që lidhen me liberalizimin e vizave shkelen qysh në ditën e parë të zbatimit

Një nga rastet që bënë pjesë në grupin e lëndëve që lidhen me liberalizimin e vizave, ka dështuar të mbahet të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.


Me kërkesë të avokatit Besnik Berisha, mbrojtës i Avni Alidemaj, i akuzuar se në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS-it, ka keqpërdorur pozitën zyrtare, është shtyrë shqyrtimi gjyqësor në rastin e njehsorëve elektrikë “Kohler”. Përveç Alidemajt, në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohen edhe Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti.

Sipas gjykatësit Shashivar Hoti, avokati Berisha, më 21 mars kishte paraqitur një parashtresë me të cilën kishte kërkuar shtyrjen e kësaj seance, pasi që gjendej jashtë shtetit dhe i njëjti kishte shqyrtuar mundësinë që të gjente zëvendësim, por nuk kishte mundur.

Ky veprim i avokatit, sipas gjykatësit Hoti është i pa tolerueshme, pasi që sipas tij, kjo lëndë kërkon të trajtohet me prioritet pasi hynë në grupin e lëndëve “LV” që lidhet me liberalizimin e vizave.
Sipas tij, të njoftohet Gjykata dy ditë më herët është për keqardhje, pasi që edhe koha e gjykatësve, siç ka thënë ai, është shumë e limituar.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 11 prill 2018.

Madje, prokurori Hivzi Bajraktari, ka deklaruar që të caktohet një datë tjetër, pasi sipas tij, më 11 prill, ka një seancë tjetër të planifikuar për tërë ditën, mirëpo gjykatësi Hoti, ka thënë se i njëjti duhet t’i anulojë të gjitha të tjerat dhe të vazhdojë me këtë seancë.
Caktimi i kësaj seance më 19 prill, është nëntë ditë më shumë se sa është rekomanduar mbi hapat që duhet të ndërmarrin gjykatat dhe prokuroritë në rastet e korrupsionit, e që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave.

Përveç, këtij rasti gjatë ditës së premte, në të gjitha rastet e korrupsionit, që i ka monitoruar “Betimi për Drejtësi”, e që ishin paraparë për sot, por për arsye të ndryshme kishin dështuar të mbaheshin, në asnjërin prej tyre nuk është respektuar rekomandimi i KGJK-së dhe KPK-së që seancat të mos shtyhen mbi 10 ditë.

Në Gjykatën Themelore në Gjilan kanë qenë tre seanca të korrupsionit, e në të cilat nuk janë përfillur rekomandimet e dala nga KGJK-ja dhe KPK-ja.

Njëra seancë është caktuar më 26 prill, përkatësisht pas 34 ditësh, njëra më 23 prill, pas 31 ditësh dhe njëra është caktuar më 25 maj, përkatësisht pas 63 ditësh.
Në Gjykatën Themelore të Pejës kanë qenë të caktuara dy seanca të korrupsionit. Njëra është caktuar të mbahet më 13 prill 2018, pas 21 ditësh, ndërsa për tjetrën është vendosur që të caktohet pasi që Gjykata të vendosë lidhur me propozimet e mbrojtjes dhe kundërshtimet e prokurorit.

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës ka qenë një seancë e korrupsionit, ku e njëjta është caktuar të mbahet më 6 prill, përkatësisht pas 14 ditësh.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore si dhe e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, vetëm një ditë më parë kishin zhvilluar një takim të përbashkët për hapat e mëtutjeshëm për plotësimin e kushtit për liberalizim të vizave, atë të luftimit të korrupsionit.

Kjo mbledhje vinte një ditë pasi në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka kaluar Projektligji për Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Gjatë kësaj mbledhjeje ishin dhënë gjashtë rekomandime për hapat e mëtutjeshëm në luftimin e korrupsionit.

“1. Të mbahen takime të rregullta mujore në këtë përbërje, 2. Të ketë koordinim në mes Prokurorive dhe Gjykatave, 3. Të mos shtyhen seancat mbi 10 ditë, 4. Të rritet numri i Gjyqtarëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, 5. Kufizimi i Gjyqtarëve për pjesëmarrjen e tyre në trajnime dhe 6. Ngritja e transparencës në raport me mediat dhe shoqërinë civile” ishin këto rekomandime.
Kodi i Procedurës Penale të Kosovës dhe Ligji për Gjykatat përcakton se gjykatësit janë të pavarur në gjykimin e lëndëve, dhe ndalohet çdo ndërhyrje apo ndikim nga jashtë. Gjykatësit gjatë trajtimit të lëndëve penale janë të obliguar të zbatojnë obligimet që dalin nga ligji.

Comments