Skip to main content

Ali Ahmeti kujton 19-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Luan Haradinaj

Tetovë 6 maj - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar dëshmorin e kombit Luan Haradinajn i cili 19 vjet më parë ra heroikisht në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook përkujtonë 19 vjetorin nga rënia historike e dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj i cili u bë pjesë e përjetësisë dhe e frymëzimit të gjeneratave të tëra atdhedashëse. 

"Luan Haradinaj me shokë shtruan rrugën e pakthyeshme të pavarësisë dhe të lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa portreti i tij qëndron meritor dhe çmallues në zyrën time në krah të viganëve tjerë të kombit tonë. Lavdi e përjetshme Luanit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.", ka shkruar në rrjetin social Lideri i BDI-së, z. Ali Ahmeti.


19 vjet nga vrasja e heroit së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Luan Haradinaj 

Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj së bashku me të vëllanë, Ramushin, dhe me Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit.

Atë ditë, forcat okupatore kishin zënë pusi, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, bie i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave. Me këtë rast plagoset rëndë Rafet Rama, ndërsa lehtë plagoset Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Në ato momente kishte filluar përleshja e armatosur. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda të artilerisë, me qëllim të t’i asgjësonin të gjithë luftëtarët shqiptarë.

Pas përpjekjeve të shumta dhe kundërsulmit të furishëm të çlirimtarëve, Ramush Haradinaj arrin t’i afrohet trupit të vëllait. Pasi e sheh të shtrirë dhe me plagë në kokë e fytyrë, konstaton se Luani kishte rënë. Nën breshërinë e pandalshme të granatave dhe të plumbave të armikut, Ramush Haradinaj arrin ta tërheq trupin e pajetë të vëllait.

Pas katër orë rrugëtimi, me rastin e tërheqjes, Ramushi me bashkëluftëtarë e bartin mbi supe trupin e Luan Haradinajt dhe shkojnë ne fshatin Vlahne. Atje, me dhembje të thellë në shpirt, me nderime varroset trupi i dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj.

Vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, vazhdojnë rrugën çlirimtare deri më 21 qershor 1999, kur nga Kosova dëbohen përgjithmonë gjakësorët serbë.
Familja Haradinaj e Gllogjanit është ndër familjet më të njohura të historisë sonë kombëtare, sidomos prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në epopenë e lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.







Comments